LDK: Kosovës nuk i duhet një marrëveshje që nuk përmban njohje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka ripërsëritur qëndrimin e saj, se Kosovës nuk i duhet një marrëveshje bazë me Serbinë, që nuk e përmban njohjen.

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se vendit i duhet një marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve, si shtete të pavarura.

“Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e qeverisë aktuale. LDK, po ashtu, kërkon raportim të kryeministrit në Kuvendin e Kosovës mbi procesin e dialogut. Injorimi i institucionit të përfaqësuesve të popullit nuk i jep legjitimitet asnjë procesi jetik për vendin” – thuhet në komunikatën e LDK-së.

Dje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si franko-gjerman.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë pas drekës së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti pas drekës me Lajçak: Ne e pranojmë propozimin e BE-së