LDK kërkon themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore
Lidhja Demokratike e Kosovës po kërkon themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se duke pasur parasysh dyshimet për abuzime të mundshme, konsiderojnë që është e nevojshme të bëhet hetim i thelluar parlamentar.
“Ne deputetët nënshkrues e konsiderojmë si të domosdoshme që të kemi hetim parlamentar për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat për çështjen e rezervave shtetërore si dhe të propozojmë hetimin e çështjeve në vijim”- tha Gashi.
Deputeti i LDK-së më pas ka prezantuar disa nga objektet e hetimit mbi këtë proces.
“A janë hapur tender për furnizimin me rezervë shtetërore? Në rast se kontrata e furnizimit të rezervave shtetërore janë klasifikuar si sekrete, cila është forma që është përdorur për klasifikimin e kontratave si sekret shtetëror dhe pse janë kualifikuar si të tilla? Çka është kualifikuar si sekret shtetëror, produkti, çmimi, vendndodhja, personat e përfshirë, kontratat si dhe a ka pasë certifikatë sigurie për personat të cilët kanë qenë të përfshirë në këto kontrata? Kush dhe si e ka menaxhuar këtë proces që nga fillimi deri në fund? “- ka renditur Gashi.
“Cila mund të jetë afërsia eventuale e përfituesve të këtyre kontratave me kryeministrin apo nivelet tjera politike? Deri në cilin nivel të hierarkisë së pushtetit arrijnë marrëdhënia eventuale e të përfshirëve përfituesve dhe njerëzve të tjerë me pushtet? Si dhe kush i ka përzgjedhur kompanitë fituese dhe me çfarë kritere? Kush janë përfituesit e tenderëve, si janë përzgjedhur, a i kanë plotësuar kushtet ligjore? A janë të pajisur me certifikatë sigurie i tërë sistemi tenderues, negociues, mbikëqyrës, furnizues, nëse po kur janë pajisur? A është shkelur ligji për rezervat shtetërore?”- shtoi tutje ai.
Gashi tha se përbërja e komisionit hetimor, propozohet të jetë me 11 anëtarë.
Kusari Lila: A nuk po i besoni prokurorisë, apo e konsideroni veten hetues me të aftë?
Në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore, ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca në një intervistë përballë Jeta Xharrës në Kallxo Përnime.
Konjufca tha se në sistemin e drejtësisë ka tendencë të njolloset Lëvizja Vetëvendosje.
Kjo pasi ai ka thënë se në drejtësi është dikush që me vullnet anti-LVV, të cilët çështjet administrative i bëjnë penale.
Sipas kryeparlamentarit, në çështjen e rezervave shtetërore nuk ka ndonjë shkelje.
“Unë nuk mendoj që ka ndonjë shkelje aty, e aq më pak korrupsion. Qeveria ka thënë “hajde shkojna bashkë në depo është 97.5%, 2.5 % ka me ardhë, qekjo nuk është vepër penale” – ka thënë Konjufca.
Ai po ashtu ka thënë se në agjenci qeveritare është e ligjshme që kryeministri të emëroj persona.
“Nëse një institucion është qeveritar, agjenci qeveritare, se agjencitë ndahen në të ndryshme, qeveritare dhe të pavarura, nëse është e pavarur, ti nuk ke drejtë si ministri me iu perzi dhe ti e vendos atje një njëri, kjo mund me përbë vepër penale. Por nëse e çon dikë në agjenci qeveritare, kryeministri e ka me ligj të drejtën”- ka shtuar ai.
Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar në gusht të këtij viti nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.