LDK kërkon nga Qeveria koordinim me partnerët dhe aleatët e Kosovës për situatën në veri
Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se sulmet ndaj institucioneve të Kosovës, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it, si dhe mbyllja e rrugëve janë veprime që cenojnë rendin kushtetues.
LDK-ja ka përsëritur kërkesën e saj ndaj Qeverisë për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës.
“LDK-ja edhe një herë përsërit kërkesën e saj ndaj Qeverisë dhe institucioneve të tjera të vendit për koordinim të veprimeve me partnerët e Kosovës, si rrugë e vetme drejt kthimit të rendit, sigurisë dhe lëvizjes së lirë në gjithë territorin e Kosovës. Çdo rrugë tjetër është rënie në kurthin e synimeve destabilizuese të Serbisë”- thuhet në reagimin e tyre.
Tutje ka kërkuar nga Qeveria plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri.
“LDK kërkon nga Qeveria e Kosovës plan të qartë për të zgjidhur situatën e sigurisë në veri. Në këto momente vendit i duhet lidership i vërtetë që do të veprojë me mençuri dhe vendosmëri; që në vend ndarjes e përçarjes siguron unitet të brendshëm e koordinim të ngushtë me aleatët tanë”- thuhet tutje në reagimin e kësaj partie.
Një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë mbrëmjen e djeshme në veri të Kosovës.
Në një njoftim për media, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë dënoi sulmin ndërsa konfirmoi se nga sulmi nuk ka pasur të lënduar.
“Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares” – thuhet në njoftim.
EULEX njoftoi se asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale.
Ditëve të fundit situata është tensionuar në pjesën veriore të Kosovës. Fillimisht serbët lokal dyshohet të kenë sulmuar zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor pas fillimit të aktiviteteve për mbajtjen e zgjedhjeve që kanë qenë të planifikuara të mbahen më 18 dhjetor, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.
Në zonën veriore të Kosovës, vazhdimisht gjatë kësaj jave ka pasur shok-bomba që janë gjuajtur në vende të ndryshme, e madje edhe ka pasur sulm ndaj njësiteve të Policisë e edhe të gazetarëve.
Informatat nga terreni bëjnë me dije se policët e Kosovës janë të vendosur në pikat e tyre dhe janë duke monitoruar situatën, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se në pjesën veriore deri më tani janë vendosur gjashtë barrikada.
Për shkak të vendosjes së këtyre barrikadave, ministri njoftoi se janë mbyllur edhe dy pikat e kalimit kufitar, ajo në Jarinjë edhe në Bërnjak.
Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq.
Sveçla për sulmet ndaj zyrtareve policor tha se u bënë nga grupet kriminale të organizuara.