LDK kërkon kthimin e të hyrave vetanake te komunat në mënyrë që të vazhdojë punën e rregullt në Kuvend

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kushtëzuar vijimin e rregullt të punimeve të Kuvendit të Kosovës me kthimin e 37.5 milionë eurove të hyra vetanake te komunat.

Kryetari i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo parti kërkon që komunat të mos privohen nga e drejta për t’u zhvilluar.

Sipas tij, reflektimi eventual i pushtetit do të rezultonte me zbatim të ligjit.

“Duam që çdo marrëveshje ndërkombëtare në dobi të vendit të kalon. Krejt kjo varet nga vullneti i pushtetit. Është në dorën e tyre. Është përgjegjësia e tyre. Ne i duam të mirat e qytetarëve si tërësi dhe jo si të pjesshme. Pra, ne jemi gati të vijojmë me punë të rregullt opozitare, vetëm atëherë kur pushteti reflekton dhe e zbaton Kushtetutën e Republikës”- ka shkruar Gashi në Facebook.

Kuvendi i Kosovës gjatë këtij sesioni është përballur me mungesë kuroumi për të zhvilluar punimet e seancave plenare, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve.

Partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë bllokuar disa procese votimi së fundmi për shkak të një konflikti të hapur mes Qeverisë dhe komunave për çështjen e financimit vetanak të komunave.

Zhbllokimin e këtyre mjeteve e kanë kërkuar edhe kryetarët e komunave të Kosovës, të cilët të hënën kanë zhvilluar takim me kryeministrin Albin Kurti.

Ndërsa, vetë ministri i Financave në seancën e 4 majit ka thënë se është duke u manipuluar me Ligjin për buxhetin.