LDK kërkon heqjen e TVSh-së për tre muaj në disa artikuj
Deputeti i Lidhjes Demokratike Armend Zemaj, tha se qeveria e 51 përqindëshit po arrin të merr tatime më shumë nga qytetarët e goditur nga inflacioni krahasuar me secilën qeveri të kaluar.
Zemaj ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati, që të zotohen t`i shqyrtojnë sot disa masa të propozuara nga LDK.
“Reduktimin e akcizës dhe normës së TVSh-së për derivate për 3 muaj me mundësi vazhdimi për tre muaj tjerë varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Zgjerimin e listës së produkteve të domosdoshme me normë të reduktuar të TVSh-së për tre muaj me mundësi vazhdimi për tre muaj tjerë varësisht nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare”, tha ai duke kërkuar edhe indeksimin e pagave dhe rritjen e subvencioneve në bujqësi.
Nëse këto zotime nuk shqyrtohen gjatë ditës së sotme, Zemaj tha se nuk ju mbetet diçka tjetër pos të votojnë për tërheqjen e kursimeve pensionale.
Zemaj ka përmendur se pagat nuk kanë lëviz dhe jeta për qytetarët është bërë e pa përballueshme.
Zemaj tha se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga publikimi i fundit nëse krahasohen muaji maj 2021 me muajin maj 2022 çmimet e konsumit në vendin tonë janë rritur prej 12.5 për qind.
“Vaji ushqimor 79 për qind, miell gruri 50 për qind, buka e bardhë 31 për qind, vezët 49 për qind, domatet 83 për qind, qumështi tetra pak 20 për, qind patate 19 për qind dhe nafta mbi 59 për qind”, tha Zemaj.