LDK kërkon dorëheqjen e ministres Haxhiu pas dyshimeve për zhdukjen e mostrave të Deharit

 

Lidhja Demokratike e Kosovës sot në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas dyshimeve për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ata këtë akt e quajtën super-skandal institucional dhe akt të shëmtuar kriminal, ndërsa Haxhiun e cilësuan si të paaftë për të menaxhuar Ministrinë e Drejtësisë.

“Ky rast tregon më së miri gjendjen në të cilën është katandisur Ministria e Drejtësisë dhe institucionet vartëse të saj. Ministrja e Drejtësisë është e pa aftë të menaxhoj Ministrinë e Drejtësisë, ashtu siç është treguar e pa aftë të reformojë sistemin tonë te drejtësisë. Prandaj, dorëheqja e saj është minimumi i përgjegjësisë së saj në këtë rast dhe në shumë raste tjera”-  u shpreh LDK.

Nëse Haxhiu nuk jep dorëheqje sot, ata ftuan Kryeministrin Albin Kurti që ta shkarkojë atë, pasi që sipas tyre ky është momenti që ai të tregojë vendosmërinë e tij për ta zbardhur rastin e Deharit.

Sipas kësaj partie, nuk mjafton pezullimi dhe vendosja para Komisionit Disiplinor të zyrtarëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ata thanë që përmes këtij veprimi ministrja mundohet të mbulojë përgjegjësinë.

“Urojmë që zhdukja e këtyre mostrave të mos ndikoj në ndriçimin e plotë të rastit të Astrit Deharit. Nëse ndodh që zhdukja e këtyre mostrave do te ketë efekt në mos ndriçimin e rastit të Astrit Deharit, atëherë shtrohet pyetja: se kujt po i interson mos zbardhja e këtij rasti??” – thuhet tutje në komunikatën e LDK-së.

LDK i bëri thirrje edhe Prokurorisë Speciale dhe organeve të rendit që ta zbardhin shpejt rastin kriminal të zhdukjes se mostrave dhe që të gjithë akterët e involvuar të marrin dënimin e merituar, e po ashtu ta bëjnë zbardhjen e plotë të rastit të aktivistit politik Astrit Dehari.