Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK kërkon debat parlamentar në lidhje me bisedimet Kosovë- Serbi

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka propozuar mocion për rendin e ditës, për trajtimin e një çështje të karakterit urgjent sipas rregullores së Kuvendit.

Gashi tha se kërkon debat parlamentar në lidhje me bisedimet e Kosovës me Serbinë.

“Në emër të LDK-së propozoj mocion për rendin e ditës për trajtimin e një çështje të karakterit urgjent sipas rregullores së Kuvendit, debat parlamentar në lidhje me bisedimet me Serbinë”- tha Gashi.

“A do të jetë debati me dyer të hapura apo të mbyllura, këtë do e lejojmë në diskrecionin e kryeministrit, pra propozoj mocion në rendin e ditës dhe kërkoj deklarimin e partive”- shtoi ai.

Paraprakisht, kryeministri Albin Kurti tha se është i hapur për të diskutuar për këto çështje por, sipas tij janë dy mënyra për ta bërë këtë.

“Unë jam shumë i hapur për t’i diskutuar këto gjëra, por duhet të kuptoni që janë dy mënyra për këtë gjë; Ose takim me liderët e partive për hollësitë ose raportim në Kuvendin e Kosovës me dyer të mbyllura e me kërkesë të opozitës”- deklaroi Kurti.

Ai theksoi se në zyren e tij mund të takohet me krerët e partive opozitare në çdo kohë.