LDK-ja zbulon prapaskenat e propozimit të Nait Hasanit për ambasador

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas propozimit të Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike për emërimin e deputetit Nait Hasani si ambasador në shtetit shqiptar.

LDK ka thënë se ky emërim është i kundërligjshëm pasi Qeveria është në dorëheqje dhe nuk ka të drejtë ligjore të marrë vendime të tilla.

Sipas LDK-së, kryeministrin në dorëheqje Haradinaj dhe Presidentin Thaçi janë duke e degraduar edhe më tej shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

“Veprimet e tilla janë në dëm të interesit publik dhe politizojnë edhe më tej shërbimin diplomatik. Krahas saj, Lidhja Demokratike dënon ashpër edhe veprimet e koalicionit në ikje PDK, AAK, NISMA dhe AKR për të ftuar mbledhje të Komisionit për Punë të Jashtme për emërimin e ambasadorëve politik një ditë para shpërndarjes së Kuvendit. Kryetarja e Komisionit dhe anëtarja e këtij komisioni nga radhët e LDK-së, kanë refuzuar ta thërrasin këtë mbledhje dhe të marrin pjesë në të, sikur edhe në çdo rast tjetër të emërimit të ambasadorëve politik.  Ky koalicion po e izolon çdo ditë e më shumë Republikën e Kosovës ndërkombëtarisht për qëllim të rehatimit të militantëve partiak në pozitat kyçe të institucioneve. Me ardhjen e LDK-së në Qeveri, do të shqyrtohet ligjshmëria e secilit vendim të marrë pas dorëheqjes së Kryeministrit”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Anëtari dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani është propozuar të bëhet ambasador në Shqipëri.

Kështu ka njoftuar deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha nëpërmjet një postimi në “Facebook”.

“Intervistimi i të propozuarit për Ambasador në Republikën e Shqipërisë z.Nait Hasani në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike”, ka shkruar Berisha.

Në prag zgjedhjeve propozohet që Nait Hasani i PDK-së të rehatohet ambasador