Kryesia e re e LDK, Foto: LDK/Facebook

LDK sot pasdite pritet të mbajë mbledhjen e Kryesisë, pritet të flitet edhe për zgjedhjen e presidentit

Lidhja Demokratikë e Kosovës (LDK) sot pasdite pritet të mbajë mbledhjen e Kryesisë së partisë.

Thirrjen e mbledhjes për në orën 16:00 e ka konfirmuar për KALLXO.com, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala.

“Është paralajmëruar diçka për një gjë të tillë, tash a mbahet…normal duhet me u mbajt. Po, në ora 16:00”, tha ai.

Shala ka folur edhe në lidhje me pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhje dhe nëse pritet që të diskutohet edhe për çështjen e presidentit dhe kandidaturën e Vjosa Osmanit për këtë pozitë.

“Të them të drejtën, kështu material çka kemi me diskutu s’kam marr. Ndoshta mundet me qenë ajo ndër pikat, por nuk kam diçka material të tillë. Pikat s’i kemi në material”, theksoi ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka shtuar se partia e tij duhet të jetë konstruktive në lidhje me këtë çështje.

“Mendoj që ne duhet së paku të mbajmë një qëndrim të përbashkët, ai qëndrim me të cilin do të dalë LDK-ja, ai do të jetë qëndrim i joni, por më së shumti çka neve si LDK na ka hije, është konstruktiviteti, do të thotë ajo që nuk duhet të jemi diçka kundërshtues. Duhet të jemi në konstruktiv, kështu e shoh”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Të premten e javës së shkuar KALLXO.com ka raportuar se ndonëse kanë kaluar disa ditë pas takimit mes kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kandidates për presidente Vjosa Osmanit, në lidhje me çështjen e zgjedhjes së presidentit, ende nuk dihet se kur pritet që të dyja palët të mblidhen sërish.

Pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës me kryeministër Albin Kurti më 22 mars, është paralajmëruar se në ditët e ardhshme pritet të mbahet seanca për zgjedhjen e presidentit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente.

Ende nuk ka datë për takimin e radhës Abdixhiku-Osmani