Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK-ja në Prizren thotë se kanë pritur të jenë në balotazh

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Prizren ka pasur pritshmëri se në zgjedhjet e së dielës së kaluar do të arrijnë të shkojnë në balotazh.

Por në fakt, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LDK-ja renditet e treta në këtë Komunë, pas LVV-së dhe PDK-së.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit Anton Quni ka siguruar 8 mijë e 705 vota apo 14.98 për qind. Prizreni pritet të shkojnë në balotazh, mes kandidati për kryetar Mytaher Haskukës së LVV-së dhe Shaqir Totajt të PDK-së.

KALLXO.com të mërkurën dhe të enjten ka provuar të marr një qëndrim nga kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, por ai nuk e ka hapur telefonin dhe as nuk është përgjigjur në pyetjet që i janë dërguar me shkrim.

Ndërkaq, nënkryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Hatim Baxhaku ka thënë për KALLXO.com se kanë pasur pritshmëri për balotazh, duke shtuar se i pranojnë rezultatet zgjedhore.

“Ne kemi pritur se do të jemi në balotazh, por janë rezultatet janë ato që janë dhe të cilat i pranojmë ashtu sepse ashtu ka vendosur populli. Përndryshe ne kemi pritur, edhe sipas sondazheve që vetë i kemi bërë, që do të jemi në balotazh”, tha ai.

Baxhaku ka shtuar se nuk mund të thotë me saktësi se çfarë ka ndikuar në përkrahjen për LVV-në, duke kritikuar qeverisjen e deritanishme të Mytaher Haskukës në Prizren.

“Nuk mund të them saktë se çka ka ndikuar në këtë rezultat. Sigurisht ende ekziston fryma për VV-në, përndryshe sa i përket qeverisjes së Mytaher Haskukës, ajo ka qenë katastrofale, zhgënjyese dhe nuk ka pasur asnjë arsye me u votu i njëjti kandidat për kryetar në Prizren”, tha ai për KALLXO.com.

“Kryetari ynë ka qenë shumë më bindës shumë më i mirë edhe në paraqitjet publike, edhe në program ka qenë shumë më i mirë, por s’mund ta shpjegojmë ndryshe përveç që ende është një inercion, ndoshta një koalicion i heshtur me pakicat, sepse disa s’kanë pasur kandidat për kryetar e disa po”, shtoi nënkryetari i Degës së LDK-së në këtë komunë.

Duke folur për koalicionet e mundshme, ai tha se ende nuk kanë vendosur si kryesi për këtë çështje.

“Oferta për koalicione kemi pasur. Nuk kemi vendosur fare a do të shkojmë në koalicion me dikë. Oferta kemi pasur nga të dyja palët, por në mbledhje të kryesisë nuk kemi vendosur fare a do të hyjmë në koalicion apo jo, nuk kemi vendim të prerë”, përfundoi Baxhaku për KALLXO.com.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga ueb faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani 21 komuna do të shkojnë në balotazh, ndërsa në 17 është përcaktuar fituesi më 17 tetor.

Këto janë 21 komunat që pritet të shkojnë në balotazh