Agim Gashi (në mes), shef i grupit të asamblistëve të LDK-së në Prishtinë. Foto: Atdhe Mulla

LDK-ja në Prishtinë kundër ndërtimeve në Liqenin e Badovcit

Asambleisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi, në një prononcim për KALLXO.com, ka thënë se LDK-ja është kundër ndërtimeve në Liqenin e Badovcit.

Gashi ka thënë se nëse një gjë e tillë vjen për t’u votuar në Kuvendin Komunal, LDK-ja do të votojë kundër.

“Ajo që është me rëndësi, po flasim për një zonë e cila është e mbrojtur me plan zhvillimor urban dhe komunal, ose është zonë e mbrojtur dhe nuk lejohet me asnjë standard, ndërtimi i lagjeve, siç po pretendohet këtu, sepse bëhet kontaminimi dhe rrezikohet në aspektin e emergjencave natyrore dhe rrezikohet liqeni në mënyrë permanente. Prandaj, LDK-ja nuk mendon që aty duhet të jepet leje ndërtimi dhe nëse vjen në Kuvend, ne do ta votojmë kundër”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se partia e tij do të bëjë çdo gjë që është e mundur që të mos ketë ndërtime në Liqenin e Badovcit.

“Do të bëjmë se çka është e mundur, që aty mos të lejohet ndërtimi, sepse kemi të bëjmë me zonën që është e mbrojtur, 1 mijë e 800 hektarë në Parkun e Gërmisë dhe është vetmja pjesë në komunën e Prishtinës, që është me interes për qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Gashi.

Ditëve të fundit është raportuar në media se një kompani private, po planifikon ndërtimin e një lagje banimi afër Liqenit të Badovcit.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili ka thënë se kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi, por ka aplikuar vetëm për kushte ndërtimore.

“Kompania në fjalë nuk ka leje ndërtimi dhe ende nuk ka aplikuar për leje ndërtimi. Kompania në fjalë ka aplikuar për kushte ndërtimore të cilat i paraprijnë aplikimit për leje. Në këtë procedurë është qe disa vite. Në Kushtet Ndërtimore i thuhet se para se të aplikojë për leje në Komunën e Prishtinës, duhet të aplikojë për pëlqimin për vlerësimin mjedisor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilën ende nuk e ka bërë”, ka shkruar Ahmeti në ‘Facebook’.

Shpend Ahmeti flet për projektin për ndërtimin e vilave pranë liqenit të Badovcit

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.