Foto: Lumir Abdixhiku / Facebook

LDK-ja në Gjilan premton 170 milionë euro për autostradë, 12 milionë për stadium

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 06.02.2025 ka mbajtur tubim elektoral në Gjilan.

Abdixhiku tha se Anamorava është ngritur në këmbë për ndryshimin.

Ai premtoi përfundimin e autostradës së Gjilanit, si dhe lidhjen me Luginën e Preshevës.

Krahas këtyre dhe investimeve të tjera kapitale, Abdixhiku premtoi rritje të koeficientit të pagave në 150 euro. Po ashtu tha se pensionet rriten për 36 për qind.

“Në këtë rrugëtim qeveria jonë vjen me projekte të mëdha që i transformojnë qytetet tona. E di që ju kanë lënë pas, më 9 shkurt vij me investime. Me 9 shkurt vij me auostradën e Anamoravës, plot 170 milionë euro me dalje në Bresalc, Dheu i Bardhë e bashkëqytetarët tanë në Luginë. Do të dal vet në terren. Më 9 shkurt vij edhe me stadiumin e Gjilanit. Do të ketë stadium modern dhe investim mbi 12 milionë euro nga Qeveria”- ka premtuar ai.

Ndërsa ka thënë se Spitali i Gjilanit do të shndërrohet në qendër moderne të ekselencës, me investime prej 10 milionë euro.

Ai tutje ka thënë se miqësia e përhershme me SHBA-në është misioni i partisë që ai udhëheq.

“Kosova shtet i anëtarësuar në NATO e BE, me miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është misioni ynë dhe do të jetë misioni ynë nesër. LDK e njëjtë, mision i njëjtë”- ka thënë ai.

Lideri i LDK-së, nga Gjilani kërkoi votë masive të dielën, ndërsa i ftoi për takim të shtunën në kryeqytet për ta shënuar mbylljen e fushatës.

Fushata për zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Partitë politike po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.

Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.