LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar qartësi dhe plan konkret nga Qeveria e Kosovës për gjendjen në veri pas sulmeve në drejtim të zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

LDK ka kërkuar nga institucionet e Kosovës koordinim të veprimeve më partnerët ndërkombëtarë.

“LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri. LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë”- thuhet në komunikatën e kësaj partie.

LDK ka njoftuar se po ndjek me shqetësim ngjarjet e fundit në veri të vendit, dhe se dënon sulmet e sotme.

Kjo parti ka kërkuar që  të gjithë ata që janë përfshirë të identifikohen dhe sa më parë të vihen para institucioneve të drejtësisë.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar gjatë pasdites së sotme në Mitrovicën e Veriut.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potok-ut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve dhe zyrtarët policorë janë sulmuar me ‘shock bomba” dhe se ka pasur edhe të shtëna në ajër nga grupe të organizuara në veri.