Tubimi i LDK-AKR në Gjakovë. Foto: AKR

LDK-ja dhe AKR-ja arrijnë marrëveshje për listë të përbashkët në zgjedhje

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca Kosova e Re (AKR) në zgjedhjet e 14 shkurtit do të garojnë me një listë të përbashkët.

Marrëveshjen e arritur sot e ka konfirmuar për KALLXO.com,  këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli, Naim Murseli.

Sipas tij AKR-ja në këtë listë do të përfaqësohet me deri në 10 emra të kandidatëve për deputetë.

“Po lista është e përbashkët në zgjedhje. AKR përfaqësohet me deri 10 emra”, tha ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, sa i përket emrave të kandidatëve nga radhët e AKR-së, Murseli ka theksuar se do të bëhen publik këto ditë.

Kurse, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një konference për media ka bërë të ditur se vetëm dy koalicione janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

“KQZ njofton se është mbyllur afati për koalicione për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurti. Gjatë afatit, në KQZ janë deklaruar këto parti për koalicione: Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe Koalicioni ZAJENO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Gradanska Inicijativa Gore (GIG)”, ka bërë të ditur Elezi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen të dielën e 14 shkurtit.