Foto: LDK

LDK-ja deklaron "veç" një financues, por shpenzoi mbi 1.3 milion euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2019.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paraqitur Arbnor Gashin si kontribuesin e vetëm me të holla në këtë parti.

38 euro e 54 centë i kishte dhuruar Gashi LDK-së në gushtin e vitit 2019, kur vendi po shkonte në zgjedhje pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt.

 

Donacionet dhe kontributet në të holla; Lidhja Demokratike e Kosovës

Por LDK-ja ka deklaruar se gjatë vitit 2019 ka shpenzuar mbi 1 milion e 339 mijë e 598 euro,  duke përfshirë pagat dhe kompenzimet, shpenzimet e transportit, reklamat, si dhe fushatën e zgjedhjeve e cila i ka kushtuar hiç më pak se 735 mijë euro.

Shpenzimet më të mëdha LDK përveç fushtës zgjedhore i kishte pasur në paga dhe kompenzime, për të cilat kishte harxhuar rreth 261 mijë e 636 euro.

Partia e Isa Mustafës është treguar modeste në blerjen e mallrave për të cilat nuk ka shpenzuar më shumë se 5 mijë e 710 euro.

 

Pasqyra Financiare, LDK

LDK-ja në Komisionin Qendror Zgjedhor nuk ka deklaruar  vlerën e tokave, objekteve, paisjeve dhe veturave që ajo posedon.