LDK i reagon Qeverisë: Mos hiqni dorë nga ushtrimi i sovranitetin në gjithë territorin

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një reagimi për media ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ofrojnë ndihmën e nevojshme për qytetarët e Kosovës në çdo pjesë të saj.

Ky reagim i LDK-së vjen pas informacioneve se Serbia është duke implementuar masa në 4 komunat veriore që janë të banuara me shumicë serbe.

LDK thotë se është e shqetësuar me heshtjen e qeverisë së Kosovës përballë kësaj situate.

“Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj se si vendimet e autoriteteve të Serbisë po zbatohen për vendosjen në karantinë të komunave në veri. Edhe më shqetësuese është fakti i heshtjes së Qeverisë së Kosovës përballë këtij ataku të drejtpërdrejt të sovranitetit të shtetit”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK ka kërkuar nga kryeministri në detyrë Albin Kurti që të mos heq dorë nga ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës.

“Ajo që është arritur për vite të tëra për shtrirjen e sovranitetit në veri, kthimin e pikave doganore, zbatimin e marrëveshjeve për integrimin e sistemit të drejtësisë dhe policisë, nuk bën të rrënohet nga kryeministri në detyrë dhe vartësit e tij”, thuhet në mes tjerash në reagimin e LDK-së.

Pak më parë, ushtruesi i detyrës së ministrit në detyrë i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla shkroi se Mitrovica e Veriut dhe Zveçani janë futur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sveçla poashtu ka shtuar se janë në komunikim të vazhdueshëm më KFOR-in për situatën në komunat veriore.

Pesë raste të reja me coronavirus në Mitrovicë të Veriut