Foto: Kallxo.com

LDK: I ngutshëm dhe shantazhues vendimi për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje

Kryesia e Kuvendit ka mbajtur sot mbledhje me një pikë të vetme të rendit të ditës – ndryshimi i Ligjit të Zgjedhjeve. Bazë kësaj, iu mundësohet diasporës që të votojnë nëpër ambasadat kosovare atje.

Në lidhje me këtë ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës duke quajtur të ngutshëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellë me vëmendje nismat e orëve të fundit të deputetëve të pushtetit dhe e konsideron absolutisht të ngushtëm vendimin për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje, marrë parasysh faktin që Kosova sapo ka kaluar këtë proces dhe sapo ka konstituar legjislaturën e re. LDK vlerëson lart kontributin e mërgimtarëve tanë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës dhe beson se secili qytetar i saj, kudo që është, duhet ta ketë të drejtën për të zgjedhur dhe për të votuar”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, një e drejtë e tillë, dhe një ligj kaq i rëndësishëm, nuk guxon të shndërrohet në mjet shantazhi politik të brendshëm.

“LDK e vlerëson të ngutshëm dhe shantazhues veprimin e sotëm për ta sjellë në votim pa një dakordim paraprak, pa në diskutim adekuat dhe pa një debat të gjerë, njërin ndër ligjet më të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Përpjekja për procedim të jashtëzakonshëm të Ligjit të Zgjedhjeve, në seanca të jashtëzakonshme dhe atë para formimit të institucioneve, nuk është as nismë me substancë e as nismë qëllim-mirë; por, është shantazh i pushtetit. Është shantazh mbi arrogancën e numrave, në vend të stabilitetit politik, i cili i kontribuon tërësisht mosbesimit, sjelljes jo korrekte dhe jo stabilitetit”, thuhet në reagim.

Sipas LDK-së, pushteti i sapoardhur, do të duhej që gjithë energjinë e vet ta drejtojë tek zgjerimi i konsensusit, sidomos kur një konsensus i tillë ishte i mundshëm.

“Shantazhi e kërcënimi për zgjedhje, ndërsa, mbesin mjete që qëllimisht nuk duan zgjidhje por zgjedhje. Në vend të adresimit të problemeve jetike për vendin tonë, në vend të menaxhimit të pandemisë e vaksinimit të popullsisë, në vend të stabilitetit politik kaq të domosdoshëm, pushteti po kërkon rrugën më të rëndë të vendit”, thuhet në reagim.

Edhe deputetit i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet nuk është urgjente në këtë kohë.

Hamza: Nuk është me urgjencë ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet