LDK ‘heq dorë’ nga posti i presidentit, nuk e diskuton me partnerët e rinj

U deshën mbi 4 muaj pritje me shumë takime e diskutime, që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës të nënshkruarin marrëveshjen e koalicionit me 2 shkurt të këtij viti, për ta krijuar Qeverinë një ditë më vonë, më 3 shkurt.

Si asnjëherë më parë, dy parti politike në Kosovë mbajtën me dhjetëra takime për të diskutuar programin qeveritar dhe ndarjen e pozitave të larta publike si partner të ardhshëm të qeverisë.

Derisa në fillimet e takimeve, dukej se gjithçka do përfundonte shpejtë, ‘gurët’ dolën në rrugë disa herë përgjatë 4 muajve negociata, herë të përditshme e herë të përjavshme.

Guri më i madh doli të jetë posti i presidentit të vendit, ndonëse ai post kishte udhëheqësin e saj, Hashim Thaçin.

Mirëpo, LVV dhe LDK, në atë kohë të bisedimeve nuk e kishin besuar se bashkëpunimi i tyre do të përfundonte, para se të vinte koha e përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit, si president i vendit.

LDK e kërkonte postin e presidentit për vete, derisa kërkonte edhe ndarje të barabartë të ministrive, plus postin e kryetarit të Kuvendit.

Derisa Vetëvendosje deklaronte se nuk dëshiron që ta bëjë pjesë të marrëveshjes pozitën e presidentit, derisa të vjen koha e përfundimit të mandatit aktual.

Në fund, këto dy parti ishin dakorduar sipas kërkesave të LDK-së. Presidenti do t’i takonte kësaj të fundit dhe Vetëvendosje do ta mbështeste kandidatin e propozuar nga LDK.

Emri i kandidatit të LDK-së asnjëherë nuk ishte nxjerrë zyrtarisht prej krerëve të LDK-së, derisa më i përfolur ishte kryetari i partisë, ish kryeministri, Isa Mustafa.

Mirëpo në marrëveshjen e arritur në mes të LDK-së dhe AAK-së më 20 prill të këtij viti, në 3 faqe marrëveshje askund nuk është përmendur pozita e presidentit.

Në këtë marrëveshje LDK nuk ka kërkuar nga AAK ta mbështesë ndonjë kandidat të saj për president, e as që është përmendur fare pozita e presidentit.

DOKUMENT -Marrëveshja e koalicionit LDK – AAK

Se nuk ka fare diskutim për postin e presidentin e ka konfirmuar edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

I pyetur nga KALLXO.com se a është diskutuar me partnerët çështja e postit të presidentit, Gashi deklaroi se nuk është trajtuar në këtë mandat.

“Nuk jemi në atë pikë për kandidatin për president. Meqenëse LVV kemi pasë një qasje të ndërtimit të një koalicioni gjithëpërfshirës, mundësisht të një skenari 4+4, nuk kemi mundur ta anashkalojmë çështjen e presidentit, tani s’kemi një skenar të tillë dhe çështja e presidentit nuk është trajtuar në këtë mandat”, u shprehë Gashi.

“Nuk besoj që Hashim Thaçi do ta ketë edhe një mandatat 5 vjeçar”, shtoi ai.

Në anën tjetër mandati i presidentit aktual, Hashim Thaçi përfundon në shkurt të vitit të ardhshëm.

Mirëpo, në LDK ende vazhdojnë të besojnë se mund të marrin udhëheqjen e presidencës, ndonëse publikisht deklarojnë se nuk kanë diskutuar me asnjë parti politike për këtë mundësi.

“LDK është një parti serioze, partia më e madhe e koalicionit dhe do të jemi faktori kryesor në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri”, u shprehë Gashi.

Seanca për votimin e Qeverisë Hoti është vendosur të mbahet të mërkurën në ora 11:00.

“Nesër mbahet seanca në ora 11. Nesër deputetët e kanë mundësinë të japin votën e vet, i kemi 64 vota”, tha Gashi.