
LDK gjobitet me 20 mijë euro - Kandidatja për deputete krahasoi Albin Kurtin me Adolf Hitlerin
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar Ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ankesa e LVV-së ishte se kandidatja e LDK-së, Xhenetë Syka ka shpërndarë një video, përmes së cilës ka krahasuar Albin Kurtin me Adolf Hitlerin.
Për këtë rast, PZAP ka pranuar Ankesën e LVV-së dhe ka gjobitur LDK-në me 20 mijë euro.
LDK ka afat prej 15 ditësh që ta paguajë gjobën.
LVV në Ankesë ka bashkëngjitur edhe linkun e videos, për të cilën është ankuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e gjobitur në këtë rast, ka kundërshtuar Ankesën – duke thënë se videoja është e përpunuar dhe se fillimisht është publikuar nga dikush tjetër.
PZAP në Vendim thotë se kjo fotografi më vonë është fshirë nga faqja e kandidates, Xhenetë Syka.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka nxitur urrejtje ndaj subjektit politik LVV, në atë mënyrë që përmes rrjetit social ka publikuar, përkatësisht shpërndarjen në faqen e saj të rrjetit social video, ku në këtë video është bërë krahasimi i personalitetit të Kryetarit të subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje me figurën e Adolf Hitlerit.” – thuhet në mes të tjerash në Vendimin e PZAP-së.
Vendimin e plotë të PZAP-së, mund ta shihni, në këtë vegëz.