LDK fillon nesër përpilimin e listës së kandidatëve (VIDEO)

Kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa osmani, tha të hënën se që nga nesër, kjo parti do të fillojë përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Osmani tha se deri më tani, LDK ka pritur propozime nga degët e saj për kandidatët e mundshëm për deputetë.

“Nuk e kemi fillu ende përpilimin e listës, është proces që do të fillojë nga nesër, sepse deri tani kemi marrë vetëm propozime nga degët. Do t’i shikojmë propozimet që kanë ardhë, sepse si kryesi qendrore fare nuk jemi përzier në propozimet që kanë ardhë nga dega”, tha Osmani.

“Mirëpo më pas të gjitha ato propozime do të filtrohen, duke marrë për bazë parimet themelore mbi të cilat po e ndërtojmë programin tonë, parimet mbi të cilat ne synojmë ta zhvillojmë Kosovën dhe natyrisht, ndër parimet kryesore është sundimi i ligjit”, shtoi ajo.

Osmani tha se LDK i qëndron asaj që, sipas saj, është krijuar si standard që nga koha kur qeverinë e drejtonte Isa Mustafa.

“Të gjitha këto do t’i vendosim bashkërisht por ne e kemi një program me të cilin parakusht është luftimi i krimit dhe korrupsionit. Qeveria Mustafa ka qenë e para që ka vendosë si parim që mos të ketë asnjë njeri me aktakuzë në qeverinë e Kosovës. Atë parim e ka ndërtuare LDK dhe atë do ta mbajmë tash e tutje”, tha Vjosa Osmani.