Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK e vendosur: Pa komision hetimor, nuk marrim pjesë në asnjë votim në Kuvend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka konfirmuar edhe njëherë se deputetët e LDK-së nuk do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvendin e Kosovës, derisa nuk votohet komisioni hetimor parlamentar për energjinë.

“E konsiderojmë të drejtë të qytetarëve tanë”, tha Abdixhiku.

Ai u ka dërguar mesazh qeverisë duke thënë se “herët ose vonë do të merren me këtë çështje”.

“Unë ju dërgoj mesazh të qartë qeverisë dhe njerëzve të përfshirë, krimi në qoftë se ka ndodh dhe tentoni ta fshihni me mos votim të komisionit hetimor nuk do të fshihet, ai mbetet aty herët apo vonë do të merremi me këtë çështje”, shtoi Abdixhiku.

Sipas tij, janë 40 nënshkrime dhe pa zhbllokimin e kësaj gjendje, pa aprovimin e komisionit hetimor që i jep të transparencë të plotë fondeve në vlerë prej 120 milionë eurove në energjetikë si dhe shtrenjtimit të faturave të energjisë deri në 100% nuk do të ketë votime në parlament.

“Ka ndodhur një menaxhim skandaloz i krizës energjetike në Kosovë nga zyrtarët më të lartë qeverisës. Një papërgjegjësi e paparë prej muajve të verës, të vjeshtës dhe krizës më të madhe në dimër. Dhe ka ndodhur një përfundim skandaloz që i merr Kosovës 120 milionë euro, e i vendos në një kompani private dhe prapë rrit faturat e energjisë elektrike deri 100%. Për këtë i duhet Kosovës transparencë e plotë. Po kërkojmë komision hetimor”, përfundoi ai.

Në seancën e mbajtur më 19 prill në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kaluar mocioni procedural për të futur në rend të ditës formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK e kishin lëshuar seancën duke deklaruar se nuk do të marrin pjesë në asnjë votim deri në formimin e këtij komisioni.