LDK e varur nga votat e PDK-së ose Listës Serbe për qeverinë e re

Rrëzimi i Qeverisë në kohë të emergjencës shëndetësore e ka përjashtuar në parim mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kosova, si pothuajse e tërë pjesa tjetër e botës, është duke u përballur me luftën kundër virusit COVID-19.

Mbrojtja më e mirë ndaj këtij virusi, sipas ekspertëve shëndetësorë është qëndrimi në shtëpi dhe mos-grumbullimi i masave, gjë që e përjashton mundësinë e organizimit të zgjedhjeve.

Partneri 51 ditësh i Lëvizjes Vetëvendosje në qeveri, Lidhja Demokratike e Kosovës në fund të marsit inicioi mos-besimin ndaj qeverisë, që u votua me sukses në Kuvendin e Kosovës.

Ditëve të fundit, kjo parti ka nisur diskutimet me partitë e tjera politike për formimin e qeverisë së re. LDK është pajtuar për të krijuar qeverinë e re me AAK-në dhe Nismën Sociale Demokrate.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i ka kërkuar disa herë fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje që të propozoj mandatarin e ri për krijimin e Qeverisë.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk i ka dërguar një emër, gjë që ka ‘shtyrë’ Thaçin që përmes një njoftimi në Twitter të paralajmëroj se gjatë kësaj jave do të procedohet me mandatimin e kandidatit të ri, që mund të jetë nga partia e dytë.

Nga zgjedhjet e fundit, të tetorit 2019, LDK është renditur e dyta.

Lidhja Demokratike e Kosovës është grupi i dytë më i madh parlamentar me 28 deputetë. Deri më tani, kjo parti ka konfirmuar se ka diskutuar me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe koalicionin Nisma dhe AKR për një koalicion qeverisës.

Grupi parlamentar i AAK-së ka 13 deputetë ndërsa koalicioni Nisma-AKR kanë 6.

Nëse do të kishte unitet nga të gjitha këto grupe parlamentare për një qeveri mes tyre, numri total i votave do të ishte 47.

Numri i deputetëve të minoriteteve joserbe në Kuvendin e Kosovës është 9, pasi që deputeti Elbert Krasniqi ka kaluar në radhët e grupit parlamentar të LVV-së. Në rast se këta deputetë e mbështesin një koalicion të prirë nga LDK, numri i votave do të shkonte 56.

Lëvizja Vetëvendosje ka 30 deputetë, PDK 24 dhe Lista Serbe 10.

Për formimin e qeverisë, kriter bazë është shumica e thjeshtë në Kuvend. Kjo nënkupton se LDK është e ‘obliguar’ të gjejë deputetë nga radhët e LVV-së, PDK-së apo Listës Serbe që do ta përkrahin qeverinë e tyre.

Këtu pa llogaritur disa deputetë të LDK-së, që mund të jenë kundër, e që automatikisht do ta rriste edhe numrin e votave të kërkuara për formim të Qeverisë.

KALLXO.com ka marrë vesh se kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka votuar kundër një koalicioni të tillë në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Deputeti tjetër i LDK-së, Ardian Shala ka deklaruar për KALLXO.com se ka votuar kundër një koalicioni me AAK-në dhe Nisma-AKR.

Në anën tjetër edhe grupi parlamentar i Nisma-AKR mund të ketë një deputet mangu. Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli gjendet në Zvicër dhe nuk dihet nëse mund të jetë prezent në ditën kur mund të vendoset të mbahet seanca.

Megjithatë edhe me një unitet të plotë brenda grupit parlamentar të LDK-së, me prezencën e të gjithë deputetëve të AAK-së, Nisma-AKR dhe me mbështetjen e 9 deputetëve të minoriteteve joserbe, LDK do të ketë nevojë edhe për së paku 5 vota tjera.

LDK e ka një votim të Këshillit të Përgjithshëm por edhe të Kryesisë së partisë që të mos ndodhë koalicion me PDK-në në asnjë rrethanë.

Nënkryetari i LDK-së, me 24 gusht të 2019 kishte publikuar një nga vendimet e kryesisë së LDK-së, që nuk do të ketë koalicion me PDK-në asnjë situatë.

“Nuk do të kemi koalicion me PDK-në në asnjë situatë”, kishte shkruar Avdullah Hoti në Facebook.

Shkrimi i Avdullah Hotit për vendimin e kryesisë së LDK-së

LDK, në të kaluarën, kishte dalë kundër edhe një koalicioni me Listën Serbe.

Përmes një komunikate për media të LDK-së, në mars të 2018, kjo parti deklaronte se asnjë qeveri nuk do të jetë stabile, kur varet nga deputetët e Listës Serbe.

“Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe”, thuhet në komunikatën e LDK-së, të lëshuar me 27 mars të 2018.

Poashtu në këtë komunikatë, LDK deklaronte se nuk do ta lejonte që deputetët e Listës Serbe të përcaktojnë fatin politik të Kosovës.

“Se nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës”, thuhej në të njëjtën komunikatë.

Poashtu edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri në një intervistë për T7, kishte deklaruar se ideologjia e tij politike nuk mund të jetë në të njëjtë faqe me Listën Serbe që dirigjohet nga Beogradi.

“Nuk flen ideologjia ime politike, që të jetë në të njëjtën faqe me atë që dirigjohet direkt prej Beogradi”, kishte deklaruar Haziri në këtë intervistë dhënë në prill të 2018.

Të martën, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se janë në pritje të presidentit Hashim Thaçi që ta ftojë LDK-në si partia e dytë, të mandatojë emrin e ri të kryeministrit.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk i ka dërguar një emër Presidentit.

Presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do t’i ndërmarrë “hapat finalë kushtetues” për formimin e qevrerisë së re.

Deri në qartësimin e kësaj situate, qeveria Kurti do t’i kryejë funksionet e saj si qeveri në detyrë.