LDK e quan çnjerëzorë menaxhimin me vaksinimin e qytetarëve

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka shprehur shqetësimin e saj për grumbullimin e njerëzve para sallës “1 Tetori”, në Prishtinë, duke e vlerësuar si gjendje skandaloze.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se nga papërgjegjësia totale qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia sot kanë rrezikuar qytetarët e Republikës së Kosovës duke u bërë shpërndarës të infeksionit dhe duke rreziku drejtpërdrejtë jetën e tyre.

Zemaj tha se kjo tregon se nuk e kanë prioritet shëndetin dhe vazhdojnë në stilin popullist dhe asnjëherë me situata konkrete.

“Kur kemi thënë se jemi të dëshpëruar me situatën e krijuar qysh në marrjen e këtij mandati është duk se po flasin në aspektin politik po çdo ditë është tregu se këta njerëz nuk e  kanë prioritet menaxhimin në Republikën e Kosovës”, tha Zemaj duke shtuar se transparenca është zero dhe sipas tij asnjë kontratë e nënshkruar.

Zemaj tha kjo mënyrë e sjelljes së këtij pushteti është çnjerëzore.

“Sot e kemi pa edhe përmes mekanizmit të policisë kur është tentu mos të lejohen të merren pamje dhe mos të lejohet që e vërteta të del në shesh se çka po ndodh në sallën 1 Tetori. Me urdhër të qeverisë nuk është leju të pasqyrohet kjo gjendje, nuk mund të fshihet e vërteta që ka ndodh sot. Bëjmë thirrje që qeveria urgjentisht ta marr situatën në dorë”, tha Zemaj.

Ai shtoi se menaxhimi i pandemisë kërkon përkushtim prandaj u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtar që të intervenojnë.

“Në emër të LDK-së i bëj ftesë partnerëve tanë ndërkombëtare të cilët punuan bashkërisht në menaxhimin e situatës pandemike, ShBA-së, vendeve të BE-së OBSH-së në Kosovë dhe UNICEF-it që të intervenojnë dhe të theksojnë që situata duhet të kthehet në kontroll, përndryshe këto pamje dhe këta prindër tanë që sot janë drejtuar drejt vdekjes është tmerruese që të shihet në ditët në vijim”, tha ai.

Zemaj potencoi se sot QKMF-të kanë qenë të përgatitura për marrjen e vaksinave dhe sipas tij vaksinat nuk kanë shkuar.

“Sot ftoj edhe organet hetimore që t`i trajtojnë këto situarta me seriozitet”, tha ai.

Edhe Ardian Shala nga departamenti i shëndetësisë në LDK, tha se e kanë analizuar programin qeveritar 2021 – 2025 dhe sipas tij nuk ka plan konkret për vaksinimin.

“E kemi analizu programin qeveritar 2021 – 2025 është program sipërfaqësor. Në këtë program nuk jepet asnjë e dhënë për programin e shëndetësisë asnjë prioritet. Program pa një plan për vaksinim as plan konkret për sigurim të vaksinimit dhe vaksinimin e popullsisë”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme, me qindra të moshuar kanë pritur në radhë para sallës “1 Tetori” për të marrë vaksinën kundër COVID-19.

Të moshuarit nga komuna e Prishtinës edhe pse kanë bërë termin online janë të detyruar të presin me orë të tëra jashtë sallës së vaksinimit dhe brenda saj.

Qytetari e krahason pritjen për vaksinë me ato për të marrë bukë më 1999 në Bllacë- VIDEO