
Armend Agolli dhe Lumir Abdixhiku
LDK e përjashton nga partia kandidatin për kryetar të Mitrovicës, Armend Agollin
Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Mitrovicë, ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe funksionet tjera të partisë, Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imeri.
Armend Agolli ka qenë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Mitrovicës në zgjedhjet komunale të 17 tetorit.
Sipas LDK-së, dy zyrtarët e tyre kanë bashkëpunuar me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila është në pushtet në këtë komunë.
“Të lartëpërmendurit që nga mbarimi i procesit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me të gjitha qëndrimet e partisë, duke bashkëpunuar me partitë tjera në kundërshtim me interesat e LDK-së, duke mbi votuar vendimet e LDK-së me votat e PDK-së. Të njejtit kanë shkelur mbi besimin që strukturat dhe votuesit besnik të LDK-së u kanë dhënë. Lidhja Demokratike e Kosovës është shtëpia politike e aktivistëve të saj besnik”, thuhet në postimin e publikuar nga LDK-ja në rrjetin social “Facebook”.
KALLXO.com ka provuar që të marrë një qëndrim edhe nga Armend Agolli por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.
Nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Mitrovicën pa balotazh e fitoi Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës.