Qeveria e Kosovës. Foto: Zyra e kryeministrit në Facebook

LDK e PDK kritikojnë Kurtin për udhëtimin në Japoni, derisa vendi po përballet me grevë

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë hyrë në grevë.

Janë mbi 300 mijë nxënës që kanë mbetur pa vijuar mësimet për shkak se grevës i janë bashkuar edhe mësuesit.

Së fundmi, në një vizitë në Japoni po qëndron kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e Murati do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe, por edhe do të zhvillojnë takime të tjera.

Dy partitë më të mëdha opozitare kanë drejtuar kritika ndaj të parit të ekzekutivit.

Kryetari i Lidhjes Demokrate të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dikur ish-ministër në Qeverinë Kurti I, e ka quajtur të paaftë Qeverinë e Kosovës në menaxhimin e grevës në arsim.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedh të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë!” – ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Tutje, Abdixhiku tha se situate aktuale me greva, nuk është normale ndërsa kritikoi Kurtin për qasjen ndaj grevistëve.

“Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?” – tha ai.

Kritika për grevën në arsim adresoi edhe Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku tha se përveç paaftësi, qasja e Qeverisë ndaj grevave është edhe ‘indiferencë’.

“Jo vetëm paaftësi, por edhe me keq. Indiferencë. Mungesë totale e empatisë. 320.000 fëmijë kanë mbetur tash e një muaj pa shkollë. E Kryeministri? Në Japoni” – ka shkruar Çitaku në Facebook.

Qeveria e Kosovës dhe këshilli grevistë deri më tani janë takuar disa herë, por zgjidhje për përfundimin e grevës në sektorin publik nuk kanë gjetur.