LDK e LVV diskutojnë programin për drejtësi, Gjykata Speciale 'nuk ka kthim mbrapa'

Ka përfunduar edhe takimi i katërt në mes të zyrtarëve të LVV-së dhe LDK-së për harmonizim të programeve.

Tema e takimit të sotëm ka qenë mbi çështjet e rendit dhe ligjit.

Zyrtari i LDK-së, Arben Gashi, që ka qenë pjesë e takimit të sotëm tha pas takimit se kanë folur për shumë çështje, duke përfshirë vetingut dhe krijimin e një zyre shtetërore të hetimit, por sipas tij, Gjykata Speciale është një proces që nuk ka kthim mbrapa.

“Dhomat e Specializuara duhet të ekzistojnë dhe ato duhet ta kryejnë punën e vet. Besoj se vlen e njëjta gjë edhe për LVV pse tashmë është një proces i dakorduar mes nivelin vendor dhe ndërkombëtar dhe kthim mbrapa nuk ka”, u shpreh Gashi.

Dy partitë kanë folur edhe për ushtrinë e Kosovës ku janë dakorduar që të ngrisin kapacitetet e ushtrisë së Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Ne diskutuam për çështjen e vetingut dhe dekrimanlizimit. Me propozim të Lëvizjes Vetëvendosje diskutuam dhe për Ligjin e Luftës, Institutin e Krimeve të Luftës dhe pothuajse për të gjitha çështjet kemi dakordim”, tha Gashi para gazetarëve pas përfundimit të takimit.

“Vetëm Zyra Shtetërore e Hetimit ka nevojë për sqarime të mëtutjeshme për të parë se a cenon sistemim kushtetues të Kosovës dhe a duhet të ketë ndryshime për ligjet”, tha tutje ai.

Temë e diskutimit mes LVV-së dhe LDK-së ka qenë edhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së paarsyetuar, për të cilën Gashi tha se do të komunikojnë edhe me Komisionin e Venecias për këshilldhënie.

“Diskutuam për ligjin për konfiskimin e pasurisë së paarsyetura dhe u pajtuam që ky ligj të trajtohet. Para se të marrim një vendim final për këtë ligj, të përfshihet edhe Komision i Venecian në këshill dhënie. Kemi orientim të përbashkët”, tha Gashi.

Takimet mes dy grupeve punuese do të vazhdojnë të hënën e ardhshme.