Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK e kundërshton mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka deklaruar se partia e tij e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës.

Abdixhiku ka shkruar në Facebook se presin që të respektohen normat e shtetit të Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfardo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”, thuhet në publikimin e tij.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë për të marrë pjesë qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Të dielën më 16 janar, në Serbi mbahet një referendum në të cilin qytetarët e saj do të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të shtetit të Serbisë për t’u afruar me strukturat e Bashkimit Evropian.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se qytetarët e Serbisë që jetojnë në Kosovë këtë të drejtë ta shfrytëzojnë përmes dy opsioneve: përmes postës apo në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë

Ndërsa Serbia, kërkon që ky referendum të mbahet ashtu siç janë mbajtur zgjedhjet e parlamentare të Serbisë më 21 qershor të vitit 2020, mbajtjen e të cilave e kishte lejuar qeveria e Kosovës.

Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, si dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t`i lejojë qytetarët serb që të votojnë në referendumin e së dielës në një proces të organizuar nga OSBE.