LDK e Gjilanit shpall zgjedhjet e brendshme në qershor
Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, ka njoftuar se dega në këtë qytet ka shpallur zgjedhjet e brendshme në qershor, të cilat kanë mandat katër vjeçar.
Haziri ka ftuar të gjithë veprimtarët, aktivistët e grup moshat e reja që të marrin pjesë në këtë proces.
Ai po ashtu, ka ftuar ata që nuk janë regjistruar në platformën për regjistrim, ta bëjnë këtë për t’u legjitimuar në këtë proces.
Dega e LDK-së ka shpallur zgjedhjet gjatë qershorit për komunën e Gjilanit, pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm i cili është mbledhur të premten për të miratuar vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta të brendshme të Lidhjes Demokratike.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se gjatë vjeshtës do ta prezantoj programin e ardhshëm kombëtar politik.
“Gjatë gjithë vitit të shkuar, LDK u angazhua në përpilimin e programit të ardhshëm kombëtar politik. Prandaj, në 29 grupe tematike, ne angazhuam mbi 200 ekspertë e profesionistë në hartimin e një programi gjithëpërfshirës, ambicioz e që ridefinon Kosovën në etapën e re zhvillimore. Këtë program, burimor tonin, rugovist e zhvillimor, LDK do ta prezantojë nga vjeshta e këtij viti”- ka thënë ai.
I pari i LDK-së gjatë kësaj mbledhje ka theksuar disa kritika për Qeverinë Kurti.
“Nepotizmi, militantizmi e familjarizmi sot janë vlera në Kosovë. Sot popullistët kanë kapur çdo institucion, çdo ndërmarrje çdo vend me vendimmarrje në shtet. Ky nuk është ndryshimi për të cilin Kosova ka patur nevojë”- ka thënë ai.