LDK e çon në Kushtetuese Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale

Driton Selmanaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka lutur presidenten Vjosa Osmani që mos ta nënshkruajë Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale. i cili cakton çmimin tavan për produktet themelore në rastet e destabilizimit të tregut.

Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa sot kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese këtë Projektligj, duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese.

Pasi dorëzuan atë, para Gjykatës Kushtetuese, Selmanaj tha se vlerësimi i LDK-së është që në tërësinë e vet ky Projektligj është antikushtetues.

“Ne nuk e kundërshtojmë në nene të caktuara, por në tërësinë e vet, sepse jemi të bindur që kjo iniciativë paraqet një ndërhyrje arbitrare në parimet dhe vlerat të ekonomisë së lirë të tregut. Ne i kemi adresuar tri nene të Kushtetutës që kjo nismë legjislative e cenon rëndë Kushtetutën e Kosovës, është neni 7; neni 10 dhe neni 119” – ka thënë Selmanaj.

“Ne si LDK kemi konsideruar që ky Projektligj duhet në tërësinë e vet të anulohet, e lusim edhe presidenten që ajo të mos ta nënshkruajë dhe Gjykata Kushtetuese ta marrë vendimin meritor që këtë ligj ta anulojë” – shtoi deputeti i LDK-së.

Gjithashtu, Selmanaj bëri të ditur se kanë kërkuar edhe masë të përkohshme për këtë Projektligj, ndërsa tha se nëse hyn në fuqi, sipas tij, rrezikon falimentimin e tregtarëve të mesëm dhe të vegjël.

“Kemi kërkuar edhe masë të përkohshme, që të mos fillojë së zbatuari fare ky Projektligj, sepse frika jonë është se nëse fillon së zbatuari, mund të shkaktojë çrregullime masive në ofertat në treg dhe si rezultat mund të vijë falimentimi i shumë tregtarëve të mesëm dhe të vegjël në Kosvoë” – tha Selmanaj.

Me 8 nëntor 2022, Projektligji ka kaluar edhe në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas procedurave, aktualisht gjendet nëpër komisionet përkatëse të Kuvendit.

Kuvendi miraton projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale