Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti | Foto: Atdhe Mulla

LDK e AAK në koalicion edhe në Viti, një grua emërohet në krye të drejtorisë së Shëndetësisë

Komuna e Vitisë të enjten ka emëruar një drejtoreshë të re në krye të drejtorisë së drejtorisë për Shëndetësi dhe Punë Sociale.

Emërimi i Hanife Jonuzit në krye të kësaj drejtorie, vjen një ditë pas lidhjes së koalicionit më AAK-në në këtë komunë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, shefi i kabinetit të kryetarit Sokol Haliti, Jakup Haxhiu.

“Të mërkurën është arritur marrëveshje për koalicion me degën e AAK-se në Viti. Në bazë të kësaj marrëveshje dega e AAK-së në Viti do të udhëheqë drejtorinë e Shëndetësisë  dhe Mirëqenies Sociale.  Drejtoreshë është emëruar Hanife Jonuzi”, ka thënë Haxhiu.

Emërimi i Hanife Jonuzit e rrit në 3 numrin e drejtorive që u janë besuar grave në Komunën e Vitisë nga 10 drejtori sa ka kjo komunë.

Përveç Januzit, Arlinda Sadiku, është drejtoreshë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Majlinda Ostrogllavës, drejtoreshë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë.

Edhe drejtoria e Arsimit ishte udhëhequr nga një grua, Fatbardha Eminit e cila ka kaluar në postin e zëvendësministres në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në vend të Eminit, drejtor i Arsimit është emëruar Basri Aliu i cili ka qenë edhe  ushtrues detyre i drejtorisë se Mirëqenies Sociale dhe Shëndetësisë deri në zgjedhjen e Hanife Jonuzit.

Mirëpo kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti kishte premtuar se 4 nga 10 drejtoritë e kësaj komune do të udhëhiqeshin nga gratë.

“Unë besoj që deri në 40 për qind”, kishte theksuar Haliti në “Debat Përnime”.

KALLXO.com ka raportuar se edhe me emërimin e 3 drejtoreshave, Haliti nuk kishte arritur ta përmbushë premtimin e tij, ndonëse janë bërë më shumë se dy vite që fillimi i mandatit.

Në mandatin e kaluar në Komunën e Vitisë vetëm Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport dhe Drejtoria për Kadastër, Pronë dhe Gjeodezi janë udhëhequr prej grave nga 10 drejtori sa ishin gjithsej.

Ligji për Barazi Gjinore të Kosovës i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2015 obligon që të ketë përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha institucionet përfshirë edhe ato vendimmarrëse.

“Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse” thuhet në nenin 6 pika 8 e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës.

Qytetarët e komunës së Vitisë për të dytin mandat radhazi ia kanë besuar Sokol Halitit nga LDK.

Ai në zgjedhjet e tetorit 2017 ka arritur të fitoj pa balotazh me 10 mijë e 764 ose 52,22 për qind të votave, duke lënë prapa Salih Salihun nga VV, Besim Halimin nga PDK dhe Faruk Nurën nga AAK.