Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
LDK dorëzon sërish Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese
Për të dytën herë përgjatë legjislaturës aktuale, Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e dorëzon Ligjin për Zyrtarët Publikë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Ndryshe prej vitit 2022, kësaj radhe, deputetët nga kjo parti e kanë dorëzuar këtë ligj së bashku me plotësim ndryshimet e fundit që janë bërë në të.
Në emër të LDK-së, deputeti Armend Zemaj dhe bashkëpartiaku i tij, Shkëmb Manaj, pas dorëzimit të këtij ligjit në Kushtetuese, dhanë arsyet e tyre për këtë veprim, duke thënë se ky ligj bie ndesh me detyrimet që Kosova i ka marrë ndaj Bashkimit Europian, përmes Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA), si dhe bie ndesh me parimet europiane për administratën publike.
“LDK mendon që ne nuk duhet të lejojmë që të kemi një administratë tërësisht të politizuar, sidomos një administratë në të cilën është investuar shumë që të jetë e pavarur dhe të ushtrojë detyrat sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës”- tha Zemaj.
Ai përkujton se ka Gjykata Kushtetuese kishte nxjerr vendim për papranueshmërinë e disa akteve të këtij ligji, e të cilat sipas tij, kanë pasur të bëjnë me ndërhyrjen direkte në administratën publike.
Sipas Zemajt, partia në pushtet e ka logjikën e pushtetit për kapjen e zyrtarëve publik dhe politizimin e skajshëm.
Ndër të tjera, ai tha se një ligj i tillë e dëmton edhe administratën në tërësi, por edhe ecjen e Kosovës drejt integrimeve europiane.
Më 23 janar 2024, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji.
Me aktgjykimin e Kushtetueses, Kuvendi obligohej që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.
Tek më 30.10.2024, deputetët e pushtetit miratuan ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës.
Bashkimi Europian kishte shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, ndër ta edhe për atë për Zyrtarët Publikë.
Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.
“Komisioni i Kuvendit nuk i ka trajtuar shqetësimet kyçe lidhur me këtë projektligj, të ngritura në opinione të ndryshme të BE-së, veçanërisht në lidhje me ndryshimet që sjell legjislacioni në pozitat drejtuese dhe në procedurat e rekrutimit, ngritjes në detyrë dhe performancës në shërbimin civil. Ndryshime të tilla, nëse zbatohen, rrezikojnë të minojnë profesionalizimin dhe paanshmërinë e shërbimit civil”- thuhej në komunikatë më 26.06.2024.
Në dhjetor të vitit 2022, edhe Partia Demokratike e Kosovës e kishte dorëzuar Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese duke paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në katër nene të këtij ligji.