LDK dorëzon në Kuvend nismën për shkarkimin e bordit të ZRRE-së

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka njoftuar se sot në Kuvendin e Kosovës, zyrtarisht kanë dorëzuar nismën për shkarkimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kjo me arsyetimin se vendimet e bordit të ZRRE-së kanë qenë “jo transparente, diskriminuese ndaj konsumatorëve si dhe kundër interesit publik”.

“Paaftësia në menaxhimin e krizës së energjisë dhe papërgjegjësia e bordit të ZRRE-së ka dëmtuar rënd mirëqenien e qytetarëve duke e thelluar krizën e papërballueshmerisë, andaj shkarkimi i këtij bordi është më e pakta”, ka shkruar Gashi në rrjetin social “Facebook”.

Më 18 maj, Gjykata e Apelit ka vendosur ta pezullojë vendimin sipas të cilit ishte paraparë rritje e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që tejkalojnë konsumin e 800 kilovatëve. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) e ka apeluar në Gjykatën Supreme vendimin e Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit për rritjen e çmimit të rrymës.

Apeli e konsideroi si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës, i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Deri tek vendimi për pezullimin e rritjes së çmimit erdhi pas padisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Pas rritjes së tarifave të energjisë kjo parti kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.