LDK dorëzon listën e kandidatëve për deputetë (VIDEO)

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë e para që ka dorëzuar listën prej 110 emrave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit.

Ka qenë anëtari i kryesisë së LDK-së, Florian Dushi, i cili e ka sjellë listën në KQZ pak pas orës 22.

“Është listë që përmban 110 emra, të cilës i prin kandidatja për kryeministre, Vjosa Osmani. Besojmë fuqishëm që kjo do të jetë lista e fitores të LDK-së dhe lista e cila do të krijojë dhe mundësojë një qeverisje ndryshe për Kosovën”, tha Dushi sapo e dorëzoi dokumentacionin në KQZ.

“Unë besoj që ndoshta do të ishte më mirë t’i pyesni drejtpërdrejtë ata pse nuk janë pjesë e listës. LDK ka qenë e hapur për propozimet që kanë ardhur nga nivelet më të ulta të saj, janë trajtuar nga organet kompetente”, tha ai kur u pyet për disa mungesa të raportuara në listën e kandidatëve.

Ai ka thënë se në listë nuk është ish-kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu.

Sipas tij, LDK është partia e parë e cila ka ndërtuar praktikën që të largojë nga partia ata që kanë aktakuza.