LDK dorëzon kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për rezervat shtetërore

Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka dorëzuar tek kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkesë për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se ky komision sipas tij do të hetojë edhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva.

“E vërteta është e duhura për të gjithë e për të gjitha; është pikënisje për gjithçka. Sot i dorëzuam nënshkrimet për themelimin e Komisionit Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe për keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me këto rezerva”- ka shkruar Gashi në Facebook.

Deputeti i LDK-së thotë se shteti dhe shoqëria kanë nevojë të dinë të vërtetën, teksa ka parashtruar disa pyetje në lidhje me rezervat shtetërore.

“Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat konform ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme. Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!”- është shprehur Gashi.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, janë arrestuar ditë më parë nën dyshimin për veprat – keqpërdorim i detyrës zyrtare, si dhe – dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Bastisjet dhe arrestimet erdhën pas publikimit të audioincizimeve të medias ‘Nacionale’ për rezervat shtetërore.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se u janë paguar paratë kompanive turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur në Kosovë dhe rrjedhimisht buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro.

Dosja e Prokurorisë tregon që ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro – shuma këto të paguara në tërësi në formë të avancës.

Prokuroria pretendon se Ministria kishte pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak sesa sasia e kontraktuar.

Ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

 

Arsyetimi i Gjykatës së Prishtinës për caktimin e paraburgimit për tre të dyshuarit për rastin e rezervave shtetërore