LDK do të iniciojë rezolutë në Kuvend për dhunën dhe ngacmimet seksuale në Kosovë

Lidhja Demokratike e Kosovës do të iniciojë një rezolutë në Kuvend për dhunën dhe ngacmimet seksuale në Kosovë.

Deputetja nga kjo parti, Doarsa Kica Xhelili ka thënë se mekanizmat shtetëror duhet të riaktivizohen në trajtimin e këtyre rasteve.

Ajo tha se LDK dëshiron që të iniciojë një rezolutë në Kuvend e cila do të merret me terma praktik të institucioneve që merren me rastet e dhunimeve dhe sulmeve seksuale.

“Mekanizmat shtetëror duhet të riaktivizohen në këtë drejtim, pasi nuk po duket se janë mjaftueshëm efektiv. LDK-ja nuk e ka marrë këtë temë vetëm sa për të trajtuar parimisht në letër. Mënyra si duam ne të trajtojmë këtë temë është në kuptim plotësisht praktik. Ne duam të iniciojmë një rezolutë në Kuvendin e Kosovës e cila do të merret plotësisht në terma praktik dhe proaktiv të institucioneve ekzistuese të Kosovës, që merren kryesisht me rastet e dhunimeve dhe sulmeve seksuale” – ka deklaruar Kica Xhelili në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Fondacioni gjerman Konrad Adenaue.

Kica Xhelili u shpreh se partia në të cilën ajo bën pjesë do të vazhdojë komunikimin me të gjitha palët që të kenë të qartë se çka ju nevojitet si tekst në rezolutë.

“Si LDK është e rëndësishme që ne të vazhdojmë këtë komunikim me gjitha palët e interesit, viktimat dhe njerëzit e gjitha strukturave, institucioneve që të kemi të qartë se çka do të na nevojitet si tekst në rezolutën e Kuvendit që të sigurojmë se ai do të jetë i zbatueshëm dhe që do të shtyhet përpara”- tha deputetja.