LDK do të bëhet me kryetar të përkohshëm

Prijësi i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të zgjidhet për një periudhë kohore jo më të gjatë se dy vite.

Kështu njoftoi kjo parti të premten.

Në njoftim, thuhet se tashmë kanë nisur përgatitjet ndërsa kryetari i ri do të ketë mandat deri në përfundimin e mandatit të Kuvendit të LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, pas paralajmërimit të dorëheqjes së Kryetarit të saj Isa Mustafa, po i kryen përgatitjet për Kuvendin, në të cilin do të zgjedh kryetarin e ri të saj. Mandati i kryetarit të ri do të zgjasë deri në përfundimin e mandatit të Kuvendit të LDK-së, përkatësisht deri në gusht të vitit 2023”, ka njoftuar partia e cila i fitoi vetëm 13.08 për qind të votave më 14 shkurt.

LDK ka njoftuar edhe për procesin e konsultimeve me degë dhe anëtarësi.

“Konsultat nëpër degë, me anëtarësinë dhe me strukturat e LDK-së për kandidaturat për kryetar do të zhvillohen deri në fund të këtij muaji. Propozimet mund t’i përcillen Sekretarit të LDK-së, për Komisionin Kandidues. Procesi i propozimeve, të cilat i përcillen Kuvendit është i hapur dhe pa asnjë ndërhyrje nga organet e LDK-së. Kuvendi do të vendosë, duke respektuar në tërësi dispozitat e Statutit të LDK-së”, thuhet në fund të njoftimit.

Isa Mustafa vetëm një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme njoftoi për dorëheqje nga posti i kryetarit të LDK-së.

Tërhiqet Isa Mustafa, i hap rrugë zgjedhjeve në LDK