LDK dhe PDK kërkojnë që votimi i gjyqtarëve të Kushtetueses të largohet nga rendi i ditës

LDK dhe PDK kërkojnë që votimi i gjyqtarëve të Kushtetueses të largohet nga rendi i ditës

Arben Gashi, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka kërkuar që të largohet nga rendi i ditës pika për votimin e dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Me duhet konsultim mes grupeve parlamentare dhe nuk duhet të jetë në rend të ditës sot”, tha ai.

Kërkesa e Gashit u përkrah nga shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri.

“Nëse duam që t’i dërgojmë dy gjyqtarë, ajo pikë duhet të largohet sot nga rendi i ditës sepse herën e kaluar pikërisht takimi që e kemi pas ne, dhe kemi hy në votim ka rezultuar i pasuksesshëm. Ne duhet t’i bindim deputetët në atë çfarë dakordohemi”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha që partia e tij do të qëndroj në seancë vetëm në votimin e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese.

Opozita është duke kushtëzuar vazhdimin e seancës së re me komisionin hetimor për energjinë.

Në këtë seancë pika e 3-të është propozimi i dy (2) kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, i cili kishte dështuar dy here.

BIRN ka monitoruar procesin e zgjedhjes së dy gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që është përmbyllur pas një procesi jotransparent të përzgjedhjes së kandidatëve që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim.

Komisioni vlerësues kishte vendosur të mbyllte për publikun dhe monitoruesit poentimin e kandidatëve pas intervistimit të tyre.

Për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë aplikuar 13 persona.

Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistave, komisioni ka vendosur të dërgojë në Kuvend për votim katër kandidatë: Etrur Maloku, Dukagjin Abdyli, Albert Avdiu dhe Bardh Bokshi.

Poentimi jotransparent në konkursin për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese