LDK dhe LVV arrijnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Komunën e Junikut

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Komunën e Junikut.

Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i LDK-së për kryetar të Komunës së Junikut përmes një postimi në Facebook.

‘’ LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës’’, ka shkruar Ruzhdi Shehu.

Ruzhdi Shehu po ashtu është shprehur se me bashkimin e forcave me Lëvizjen Vetëvendosje do ta kenë edhe shumicën në kuvendin komunal.

‘’Të bashkuar me Vetëvendosjen në Junik, tanimë kemi shumicën e anëtarëve në Kuvendin Komunal të Junikut (9 nga 15 ose 60% e ulëseve në Kuvendin e Junikut). Padyshim që do të kemi edhe përkrahjen e nevojshme nga Qeveria e Kosovës për të realizuar projektet tona zhvillimore për Junikun’’, thotë kandidati i LDK-së për Junikun.

Sot gjatë ditës KQZ-ja ka shpallur rezultat e rundit të parë ku Agron Kuqi nga AAK me 45.19 për qind prin garën ndërsa Ruzhdi Shehu nga LDK me 44.21 për qind.