LDK deklaron se ka dërguar komente në ZRrE për kundërshtimin e rritjes së tarifave të energjisë

Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të një konference për media ka njoftuar për dërgimin e komenteve në Zyrën Rregullatorit të Energjisë, me përmbajtje kundërshtuese për rritjen e tarifave të energjisë.

Kështu bëri të ditur deputetja nga radhët e kësaj partie, Hykmete Bajrami.

Bajrami shtoi se këto komente janë dorëzuar edhe te kryeministri Albin Kurti dhe ministrat, Artane Rizvanolli e Hekuran Murati.

“LDK ka dorëzuar komentet e saj për raportin konsultativ lidhur me shqyrtimin e strukturës tarifore për konsumatorët, dokument ky i publikuar më 17 janar 2022. Madje kemi dorëzuar komente dhe sugjerime edhe për ZRrE-në dhe për qeverinë sepse dokumentin të cilin po e komentojmë, tarifat të cilat po i kundërshtojmë janë në bashkautorësi në mes qeverisë dhe ZRrE-së”, tha ajo.

“Dokumentin ia kemi adersuar kryetarit të bordit, Ymer Zejnullahu, si dhe kopje për kryeministrin Albin Kurti, ministrat, Artane Rizvanolli dhe Hekuran Murati”, ka thënë Bajrami.

Bajrami potencoi se kjo krizë ishte paralajmëruar një vit më parë, por qeveria bëri rolin e spektatorit.

“Kriza energjetike ka qenë e paralajmëruar siç e dini qysh në fillim të vitit 2021 derisa, qeveria ka luajtur rolin e spektatorit duke dhënë edhe deklarata skandaloze diku në muajin tetor, ku thoshte se qytetarët nuk kanë nevojë të frikësohen, sepse nuk do ketë krizë të energjisë”, tha Bajrami.

Sipas saj, edhe pse kjo është krizë globale, qeveria ka dështuar ta menaxhojë atë dhe nëse do merreshin masa më herët do kursehej buxheti.

“Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është një krizë globale por jemi po ashtu të sigurte se qeveria ka dështuar thellë në menaxhimin e kësaj krize. Deri më 28 dhjetor nuk janë shpallur masat emergjente derisa po importonte me qindra euro megavat. Sikur qeveria të merrte masa sot nuk do kishim  humbje buxhetore mbi 120 milionë euro”, potencoi Bajrami.

Bajrami tha se rritja e çmimit të rrymës e rëndon jetën e qytetarëve në kohë të pandemisë dhe ndarja e 75 milionë eurove është diskriminuese.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zotuar 75 milionë euro, me të cilat ka vendosur të subvencionojë ekonomitë familjare deri në 600 KW dhe sektorin e biznesit, konsiderojmë se shpërndarja e subvencionimit duhet të bëhet për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse ndarja e 600 KW as nuk është ndarje në bazë të standardit të jetesës, e as nuk është kurrfarë kriteri që do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”, u shpreh tutje Bajrami

Bajrami për fund theksoi se kanë propozuar që për vitin 2022 të mos ketë ngritje të tarifave.

ZRrE: Pas përfundimit të afatit të komenteve do të vendosim për çmimin e energjisë elektrike

 

Krasniqi tregon arsyen pse PDK nuk ka dërguar komente në ZRrE lidhur me shtrenjtimin e energjisë elektrike