LDK cakton kandidatin për kryetar të Podujevës

Më 15 mars, Komuna e Podujevës do të votoj për të parin e kësaj komune.

Kjo pasi që kryetari aktual, Agim Veliu është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme.

Gjatë ditës së sotme është bërë e ditur edhe se kush do të jetë kandidati nga radhët e LDK-së për të parin e Komunës së Podujevës.

Sipas njoftimit, Kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë mbajti mbledhjen e radhë, në të cilën u vendos që Nexhmi Rudari të jetë kandidat i LDK-së për kryetar të Komunës së Podujevës.

“Në takimin, të cilin e udhëhoqi kryetari i Degës së LDK-së, Agim Veliu, pas një diskutimi konstruktiv nga anëtarët e kryesisë me unanimitet të plotë u vendos që kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të jetë Nexhmi Rudari, anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe nënkryetar i Komunës aktualisht”, thuhet në njoftimin e LDK-së së Degës së Podujevës.

Kryetari i degës, Agim Veliu, sipas njoftimit ka thënë se kandidati i LDK-së, do të jetë edhe kryetari i ardhshëm i Komunës së Podujevës dhe ftoi për punë dhe angazhim të përbashkët të gjitha strukturave të LDK-së në Podujevë, për ta vazhduar traditën e fitoreve dhe për ta mbajtur të pamposhtur bastionin e LDK-së.

“Me qëllim të mobilizimit të anëtarësisë për fitore në zgjedhjet e 15 marsit, Kryesia e LDK-së sot do të zhvillojë takim me të gjitha strukturat e saj”, thuhet në njoftim

Rudari ka qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Me cilin projekt do ta kushtëzojë votën kandidati për deputet nga LDK?