LDK bojkoton RTK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bojkotuar pjesëmarrjen në Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Shkak, sipas partisë që drejton Lumir Abdixhiku, është zgjedhja e Rilind Gërvallës drejtor të kanalit në gjuhën shqipe  RTK 1, 3 dhe 4.

KALLXO.com raportoi se Gërvalla kishte qenë financues i Lëvizjes Vetëvendosjes në vitin 2020 dhe ishte parë edhe në fotografi me anëtarë të kësaj partie edhe në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm në vitin 2020.

Sipas rregullores për zgjedhjen e menaxhmentit të lartë të RTK-së, kandidati duhet të mos ketë qenë deputet, ministër, zyrtar i lartë i pushtetit qendror apo lokal, apo anëtar i forumeve drejtuese të subjekteve politike në tri vitet e fundit.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur”- thuhet në komunikatën e LDK-së.

“LDK edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues”- thuhet tutje në njoftimin e LDK-së.

 

Reagimi i partisë opozitare vjen pasi Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës emëroi Rilind Gervallën drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4.

 

Financuesi i Vetëvendosjes zgjidhet drejtor i kanalit në gjuhën shqipe RTK1, 3 dhe 4