LDK: Arben Vitia po e lë Ministrinë e Shëndetësisë “sepse ka vaksina”

Kandidimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në garën për kryetar të Prishtinës duhet të shihet si shqetësues sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo pasi, LDK po konsiderojnë që ndryshimi i pozicionit qeverisës të Vitisë është i dëmshëm duke marrë në konsideratë situatën e përkeqësuar pandemike në vend.

“Pritjet më të mëdha në këtë kohë të pandemisë janë pikërisht nga Ministria e Shëndetësisë të cilën e kryeson ministri Vitia, i cili tashmë zyrtarisht do të jetë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës”, tha Shqipe Mjekiqi, nënkryetare e LDK-së, duke shprehur shqetësim për shpërqendrimin e vëmendjes së ministrit Vitia prej situatës pandemike në një fushatë zgjedhore.

“Pavarësisht keqmenaxhimit të situatës, në një moment të tillë kur rastet e infektimit kanë arritur kulmin, ministri i Shëndetësisë po duhet të jetë pjesë e fushatës zgjedhore dhe t’i kushtojë rëndësi një funksioni tjetër, gjë që është tejet shqetësuese”, shtoi Mjekiqi.

Shqetësim për këtë situatë, në konferencën për media të mbajtur në Selinë e LDK-së, pati edhe anëtari tjetër i këtij subjekti, Armend Agolli.

“Me e lanë këtë situatë për me kandidu për kryetar komune, është papërgjegjësi e madhe”, shtoi ai.

“Aktualisht kemi të bëjmë me një ndërprerje të qeverisjes së një ministri që ka udhëheqë në këtë ministri me dashje për të kandiduar pastaj për një pozitë…”, tha ai.

Sipas LDK-së, ministri Vitia po kandidon për kryetar komune me komoditetin se tashmë ka vaksina të mjaftueshme.

“Ne nuk po i shohim këto vaksina”, tha Mjekiqi.

“Nëse ka vaksina, atëherë qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë dinamikën që qytetarët të vaksinohen me të dy doza e që të mos afektohemi, ose të afektohemi sa më pak, nga varianti Delta”, tha ajo.

Ndër të tjera, LDK-ja gjithashtu tha që menaxhimi i mirëfilltë i situatës pandemike është në interes dhe qeveria duhet të mendojë për shëndetin e qytetarëve.