LDK akuzon RTK-në për propagandë në favor të Kadri Veselit, reagon drejtori i RTK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka akuzuar Radio Televizionin e Kosovës (RTK) se është shndërruar në mjet propagande të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përderisa kjo e fundit ka kërkuar nga partitë politike të ndalin presionin ndaj transmetuesit publik.

LDK-ja përmes një komunikate për media, thekson se RTK-ja po i përdor asetet publike në shërbim të partisë së caktuar politike.

“Transmetuesi publik i Kosovës, Radio Televizioni i Kosovës (RTK), që prej fillimit të parafushatës, e sidomos gjatë këtyre ditëve të fushatës zyrtare për zgjedhjet e 6 tetorit, sikurse edhe në të kaluarën, është shndërruar në mjet të propagandës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, “portali rtklive.com, sikur edhe në të kaluarën, më shumë i ngjan një faqeje të PDK-së, sesa një transmetuesi publik që paguhet me paratë e qytetarëve”.

“Në portalin e RTK-së, publikohen lajme të rrejshme që përkrahin fushatën e PDK-së dhe denigrojnë partitë tjera, kryesisht ato të opozitës së kaluar. Brenda RTK-së është krijuar një ekip me eksponentë të njohur për njëanshmëri politike, të cilët po shkelin rregullat elementare të raportimit të paanshëm dhe profesional”, vijon ndër tjera komunikata e LDK-së.

Sipas këtij subjekti politik, RTK-ja po mundohet ta paraqesë kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, si të vetmin lider politik të Kosovës që, sipas tyre, “po angazhohet për luftimin e krimit dhe korrupsionit”.

Në lidhje me këto akuza, ka reaguar drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.

Përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, Kastrati u ka bërë thirrje partive politike të ndalin presionin ndaj transmetuesit publik të Kosovës.

“Sa herë që ka fushatë zgjedhore në Republikën e Kosovës, partitë politike nga stresi dhe nervoza e dinamikës së fushatës dhe duke mos pasur se çka t’i bëjnë njëra tjetrës e sulmojnë Transmetuesin Publik për gjoja njëanshmëri. RTK ju bën thirrje partive politike që të ndalin presionet e tyre ndaj Transmetuesit Publik dhe të merren me fushatat e tyre”, thuhet në reagimin e tij.

Kastrati ka shtuar se RTK-ja gjithmonë u ka dhënë hapësirë të barabartë  dhe çasje korrekte të gjitha partive politike.

“RTK ka po të njëjtin staf që ka mbuluar edhe fushatat e mëparshme zgjedhore, një staf i cili ka krijuar një përvojë shumë të madhe në mbulimin e fushatave zgjedhore. RTK gjithmonë iu ka dhënë hapësirë të barabartë dhe me çasje mjaft korrekte të gjitha subjekteve politike si në edicionet e lajmeve, kronikave zgjedhore por edhe në debatet politike. Kjo është konfirmuar edhe në të gjitha raportet e monitoruesve të Bashkimit Evropian”, ka shkruar ai.

Drejtori i transmetuesit publik ka shtuar,  se sulmi ndaj RTK-së vetëm disa ditë para datës së zgjedhjeve “nuk është gjë tjetër pos një presion i pastër politik dhe tendencë për të ndërhyrë në politikat editoriale të RTK-së”.

“RTK i bën me dije LDK-së e cila këtë herë e ka sulmuar shumë ashpër RTK-në pa asnjë argument, por edhe të gjitha partive politike që RTK nuk mundet as t’ua fitojë dhe as t’ua humb zgjedhjet. RTK do të raportojë të gjitha ato aktivitete të cilat vetë partitë politike i dërgojnë në redaksitë tona dhe asgjë më shumë! Se sa kemi qenë profesional, të anshëm ose të paanshëm, do ta thotë raporti i monitoruesve të Bashkimit Evropian të cilët janë ekspertë të kësaj fushe, por ne nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë që një subjekt politik cilido qoftë ai ta bëjë vlerësimin editorial të RTK-së sepse nuk kanë kurrfarë kompetence në këtë fushë”, vijon reagimi.

Ai u ka bërë  thirrje mekanizmave të BE-së dhe shoqatave të gazetarëve që ta dënojnë “sulmin mbi transmetuesin publik”.