FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Lavdim Krasniqi lirohet nga paraburgimi

Drejtori i suspenduar i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, është liruar nga paraburgimi pas kërkesës së Prokurorisë së Prishtinës.

Nga paraburgimi është liruar edhe shoferi i tij  dhe ndaj tyre me vendim të Gjykatës së Prishtinës është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com prokurori i rastit, Zejnullah Gashi.

Gashi ka thënë se e ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve të këtij rasti.

Ai nuk i komentoi arsyet e kërkesës së tij për lirimin nga paraburgimi me arsyetimin se është ende në fazën e hetimit.

Masa e sigurisë i është ndryshuar edhe të dyshuares tjetër në këtë rast, zyrtares Marigona Berisha.

Berisha me vendimin e fundit të Gjykatës do të mbrohet në liri.

Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës Lavdim Krasniqi dyshohet se kishte ndikuar në uljen e dënimit të një personi në këmbim të dhuratave me vlerë mijëra euro.

Krasniqi po dyshohet se është i implikuar në afera korruptive pasi sipas Prokurorisë ka ndikuar në gjykatë për uljen e dënimit të të dënuarit me 4 vite e 7 muaj burgim.

Dyshimet në këtë rast sipas Prokurorisë janë se i dënuari B.M. i kishte dhënë Lavdim Krasniqit para dhe dhurata në vlerë 65 mijë euro për zbutjen dhe mosekzekutimin e dënimit.

B.M. ishte dënuar me 4 vite e gjashtë muaj burgim nga Gjykata e Prishtinës, mirëpo ky dënim ishte ulur më vonë gjatë periudhës të cilës sipas Prokurorisë ai i kishte dhënë para Lavdim Krasniqit.

Uljen e dënimit ndaj tij e kishte bërë kolegji i Gjykatës së Apelit i kryesuar nga gjyqtari Xhevdet Abazi me anëtarët Driton Muharremi dhe Afrim Shala.

Ky kolegj e kishte ulur për rreth 1 vit dënimin kundër B. M., pasi e kishte konsideruar të ashpër vendimin e parë me arsyetimin se nuk ishin marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese.

Madje dyshimet shkojnë edhe më larg pasi Krasniqi në dosje thuhet se kishte marrë dhurata me pretendimin se ishte në gjendje që të ushtronte ndikim për zbutjen e dënimit edhe në gjyqtarët e Gjykatës Supreme.

Përpos dyshimeve për ushtrim ndikimi ai po dyshohet edhe se përmes shoferit të tij me veturën zyrtare të Këshillit Prokurorial të Kosovës i kishte ndihmuar një të dyshuari për tentim vrasje që të arratisej nga Kosova.

Lavdim Krasniqi ishte arrestuar me 1 mars të këtij viti. Të nesërmen e arrestimit ai u suspendua nga Këshilli Prokurorial i Kosovës me 50% të pagës.