
FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës
Lavdim Krasniqi dyshohet se mori 40 mijë euro ryshfet për uljen e dënimit për një person
Drejtori i suspenduar i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi dyshohet se është i përfshirë në aferë korruptive.
Për këto dyshime ai dhe shoferi i tij po mbahen në qendrën e paraburgimit, ndërsa një zyrtare tjetër e KPK-së, Marigona Berisa po mbahet në arrest shtëpiak.
Sipas dosjes të cilën e ka siguruar KALLXO.com, Lavdim Krasniqi, Marigona Berisha dhe shoferi i tij dyshohen se nga viti 2018 e deri në vitin 2020 në një lokal në Prishtinë kanë marrë para nga B. M. më qëllim që të mos realizohej ekzekutimi i dënimit ndaj tij.
Sipas shkresave të cilat i posedon KALLXO.com, B. M. i ka dhënë drejtorit të Sekretariatit 40 mijë euro dhe një veturë në vlerë prej 25 mijë euro me qëllim që të mos shkonte në burg.
Prokuroria pretendon se drejtori i KPK-së ka marrë dhurata në mënyrë direkte ose përmes të tjerëve me pretendimet se është në gjendje të ushtrojë ndikim edhe në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme për uljen e dënimit.
Pos tjerash ai dyshohet se i ka dhënë ndihmë disa personave pasi kishin kryer tentim vrasje. Sipas dosjes ai përmes shoferit të tij ju ka mundësuar atyre që të arratisen nga Kosova me veturë të Këshillit Prokuroial të Kosovës.
Krasniqi po dyshohet për veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, ushtrim i ndikimit, dhënie e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.
Kurse Berisha për moslajmërim të veprës penale.
KALLXO.com ka vazhdimësi ka raportuar se Lavdim Krasniqi dhe Marigona Berisha nga Këshilli Prokurorial i Kosovës janë arrestuar nga ana e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike
Kurse Këshilli Prokurorial i Kosovës dje ka njoftuar se pas fillimit të procedurës penale ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente.
Apeli e lë në burg drejtorin e Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi