Latifi vizitoi Klinikën e Onkologjisë një javë pasi shiu la jashtë funksionit pajisjet e rrezatimit

Pothuajse një javë pasi shiu ka vërshuar hapësirat e Klinikës Onkologjike duke lënë jashtë funksionit dy pajisjet e vetme të rrezatimit, ministri i Shëndetësisë ka vizituar sot këtë klinikë.

Sipas komunikatës së Ministrisë, ministri Latifi, është njoftuar nga Kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë, ku nga këta të fundit u kërkua vlerësim i detajuar për dëmet e shkaktuara.

Latifi ka thënë se është duke u parë mundësia që këta pacientë të marrin trajtimin në Shqipëri derisa të bëhet vlerësimi i pajisjeve.

“Derisa ne presim vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në aparaturat e Klinikës së Onkologjisë, në ndërkohë jemi duke biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë së Republikës së Shqipërisë, për ofrimin e shërbimeve Onkologjike të pacientëve tanë”, ka thënë Latifi.

Numri i pacientëve që kanë qenë në pritje dhe në njëherit në trajtim është 233.

KALLXO.com ka raportuar para dy ditësh se dy pajisjet që i ka Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) për kryerjen e rrezatimit janë jashtë përdorimit për shkak të shirave që kanë rënë javën e kaluar e që kanë depërtuar në vendin ku këto dy pajisje janë të montuara.

Shiu nxjerr jashtë funksionit dy pajisjet e rrezatimit në QKUK, pacientët mbesin pa trajtim