Rifat Latifi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Latifi s'e deklaron pagën si ministër, pasuria e tij është milionëshe

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili është emëruar në krye të këtij dikasteri në muajin nëntor ka deklaruar në Agjencinë kundër Korrupsion pasuri milionëshe.

Latifi ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) se ka 1 milion dollarë kursime në Shtete e Bashkuara të Amerikës nga punësimet në Virginia, Arizona dhe New York.

Latifi gjithashtu ka deklaruar se ka 4 vetura, të cilat kapin vlerën 138 mijë euro.

Ministri i Shëndetësisë gjithashtu ka deklaruar se ka tokë 215 ari në zonën kadastrale të Graçanicës, e cila është blerë nga investimet e bëra gjatë viteve 2008-2012, me vlerë të sotme 1.5 milion euro.

Sipas deklarimit të Latifit, kjo tokë, e cila është në pronësi të motrës së ministrit,  është blerë me kursime nga puna e Latifit në SHBA dhe në Doha, Katar.

Latifi ka deklaruar se ka 100 dollarë para të gatshme në bankën e Amerikës, kurse është pronar edhe i tre shtëpive në Amerikë, dy nga të cilat janë shtëpi pushimesh.

Vlera e shtëpisë në Amerikë me madhësi 1,600 metra katorë është 1.5 milion euro, kurse vlera e dy shtëpive të pushimeve po ashtu kap shumën mbi 1 milion euroshe.

Gjithashtu Latifi ka deklaruar se ka banesë 130,000.00 euroshe si dhe tokë në vlerë 30 mijë euro.

Latifi gjithashtu ka treguar se është në tri kredi kurse në të hyrat vjetore nuk ka deklaruar asnjë lloj të hyre.

Latifi, te të hyrat nuk ka deklaruar as pagën si Ministër i Shëndetësisë. KALLXO.com  gjatë ditës së djeshme ka rpanuar përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me mosdekalrimin e pagës së ministrit.

Ministria e Shëndetësisë në përgjigjen e tyre kanë thënë se kjo ka ndodhur për shkak se ministri nuk ka pasur llogari bankare në Kosovë.

Arsyeja pse nuk figuron paga e Ministrit në të dhënat e deklaruara është se në muajin janar 2022, kur është bërë deklarimi  i pasurisë për Agjencinë Anti Korrupsion të Kosovës, Ministri Latifi nuk e ka pasur ende të aktivizuar llogarinë e tij bankare në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

*Ky tekst është edituar më 16.06.2022. Në tekst është shtuar përgjigja e Ministrisë së Shëndetësisë për mosdeklarimin e pagës së ministrit Rifat Latifi.