Latifi për raportimet mbi Fondin: Nëse ka keqpërdorime organet do të merrem me këtë

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale tha se raportimet në media për keqpërdorimet në Fondin për Sigurime Shëndetësore duhet të hetohen dhe të merren masa ndaj personave përgjegjës.

Sipas Latifit, në bordin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore do të ketë ndryshime.

“Kisha propozu që herën tjetër kur të takohemi të trajtojmë këtë çështje. Problemi më i madh është se ne po i dërgojmë jashtë vendit për diagnostifikim prej problemeve ditore kur ne kemi mundur të krijojmë ekipin tonë të operimeve. Fondi edhe gjitha këto që janë shfaqur në media janë problematike. Nëse ka keqpërdorime organet do të merrem me këtë. Bordi i fondit do të ketë ndryshime”, tha Latifi.

Ky bord nuk është funksional pasi nuk ka përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, as të Financave dhe as nga ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Latifi tha se tashmë kanë dërguar emrat në qeveri dhe po presin që qeveria të merret me këtë.