Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Latifi për balotazhin: Nuk e kemi pritur

Kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Smajl Latifi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se kanë pasur pritshmëritë që të fitojnë bindshëm në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Për shkuarjen në balotazh Latifi thotë se nuk e penalizuar asgjë nga punët e tij të kryera gjatë mandatit të deritanishëm.

“Kurrgja nuk na penalizu, na kemi prit me qenë të parët, edhe kemi qenë të bindur. Por me siguri nuk kemi mbërri me vlerësu situatën në ndonjë pjesë, kjo është vërtetë.  Nuk jam ekspert i zgjedhjeve, ne tash jemi tu punu veç me shku bindshëm pa asnjë problem”, ka thënë ai.

Latifi ka përjashtuar mundësinë për lidhjen e një koalicioni me ndonjë parti.

“Unë kam koalicion vetëm me qytetarët dhe gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që e kanë vlerësu ndryshimin që ka ndodhë për katër vjet dhe janë të gatshëm me punu bashkë me neve për ndryshimet që do të ndodhin në katërvjeçarin e ardhshëm”, u shpreh tutje ai.

Në këto katër vitet e fundit, Rahoveci është qeverisur nga Smajl Latifi i AAK-së.

Ai në zgjedhjet e mbajtura të dielën mori 47.23% kurse Visar Korenica nga LVV 24.78%.

Rundi i dytë mbahet katër javë pas mbajtjes së rundit të parë, apo, në këtë rast, më 14 nëntor.

Sipas Ligjit për zgjedhjet lokale, nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton më shumë se 50 për qind të votave, plus një votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) duhet të organizojë rundin e dytë ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar më së shumti vota.