Latifi nuk jep datë se kur mund të fillojnë sigurimet shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, ka deklaruar se nuk mund të japë datë as për SISh e as për Sigurime Shëndetësore për shkak se duhet punë e madhe dhe grupet punuese që të bëjnë analiza se çka ka shkuar mirë e çka keq.

Më tej Latifi ka thënë se duhet të shihet po ashtu, a duhet të vazhdojnë me atë sistem që ka filluar apo duhet të ndërrohet për shkak se sipas tij, zhvillimet teknologjike janë të shumta dhe kanë ndërruar që nga viti 2002.

“Unë ende nuk kam pasur kohë t’i lexoj ligjet sepse jam duke shuar zjarre aktualisht, si për COVID-19, ashtu edhe çështjet e tjera. Kanë ndërru situata teknologjike në Kosovë dhe nga viti 2002 kur kemi filluar. Qendra e Telemjekësisë ka qenë më e avancuara atëherë. Ne duhet të bëjmë një studim në lidhje me situatën dhe për atë se çka do të bëjmë në 5 vitet e ardhshme”, deklaroi ai.

Tutje ai ka deklarua se nuk mund të japë datë për sigurimet shëndetësore.

“Unë do ta bëjë një grup tash dhe duhet të kryhet për më pak se një muaj dhe më pas të fillojmë me SISh. Më pas, duhet të shohim se a duhet ta krijojmë sistemin vet apo ta marrim prej dikujt tjetër. Në lidhje me sigurimet shëndetësore duhet t’i mbledhim sa më shpejtë ekspertët e sigurimeve shëndetësore. Më vjen keq që tash për tash s’mund të them asgjë për shkak se s’jam ekspert i sigurimeve shëndetësore. Nëse nuk kemi sigurime shëndetësore do ta dëmtojmë edhe më tej popullin. 25% e atyre që kqrkojnë shërim jashtë vendit i hargjojnë të gjitha resurset shtëpiake dhe kjo është shumë keq”, tha Latifi.